43 vatra zjarri në 24 orë, 10 vijojnë aktive në të gjithë vendin

43 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 3 të tjera janë nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Ndër vatrat kryesore aktive janë Mali i Dajtit në Tiranë, Vakumone në Shëngjergj, Gurë-Lurë dhe Qafë Helmesi në Dibër, Abazaj në Krujë, Lufaj dhe Thari në Mirditë, Fushë-Lajë dhe Rrjoll në Shkodër, si dhe Dardha në Librazhd.

Në disa prej këtyre zonave po punohet për hapjen e korridoreve dhe izolimin e flakëve, ndërsa në zona të tjera ndërhyrja po bëhet nga toka dhe ajri. Për shkak të terrenit të vështirë, në Rrjoll situata po monitorohet edhe me dron.

Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive.

AKMC, përmes QKOEC, vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës së zjarreve në të gjithë territorin e vendit.