Berisha për protestën e banorëve të Marinëzes: “Bankers” duhet t’i dëmshpërblejë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestat e banorëve të zonës naftëmbajtëse të Marinzës, të cilët kundërshtojnë, sipas tyre, mosrespektimin e kontratave të qirave të tokave nga kompania Bankers Petroleum.

Berisha u shpreh se banorët kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet dhe pasojat që, sipas tij, mund të jenë shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës.

“Banorët kanë absolutisht të drejtë dhe Bankers duhet të zhdëmtojë për të gjitha pasojat e krijuara nga metodat teknologjike që përdoren për nxjerrjen e naftës në atë zonë”, deklaroi Berisha.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me ndikimin e mundshëm të aktivitetit naftënxjerrës në shëndetin e banorëve të zonës, duke iu referuar disa studimeve që, sipas tij, flasin për rritje të rasteve të sëmundjeve tumorale.

“Nuk dua të përhap panik tek banorët, por disa studime tregojnë se aty ka një rritje të ndjeshme të të sëmurëve me kancer. Këto janë studime, por askush nuk mund t’i hedhë poshtë pa një studim serioz”, tha ai.

Kreu i PD-së kërkoi që banorët e zonës të kenë një kontroll të plotë shëndetësor dhe mbështetje institucionale për pasojat e mundshme të aktivitetit të industrisë së naftës.

“Banorët e asaj zone, që është fusha e naftës më e madhe në Evropë në tokë, meritojnë dëmshpërblim të plotë. Meritojnë ligjërisht një kontroll shëndetësor shumë serioz dhe mbështetje kundër pasojave që mund të jenë krijuar në atë zonë nga gazrat dhe probleme të tjera”, përfundoi Berisha.