18 vatra zjarri në Shqipëri, 14 aktive – në terren 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor

18 vatra zjarri vijojnë të jenë të evidentuara në territorin e Shqipërisë, nga të cilat 14 janë aktive, 2 nën kontroll dhe 2 në monitorim.

Gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë në disa qarqe të vendit.

Në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe qendrore, ndërsa Forcat e Armatosura marrin pjesë në operacione me 309 efektivë, 22 mjete, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë raportuar në Dajt, Abazaj të Krujës, Gurë-Lurë, Nemërçkë-Dhëmbel, Trojë, Lugaxhi, Dhivër-Finiq, si dhe në zona të Mallakastrës, Patosit dhe Mirditës.

Në Abazaj të Krujës, sipas vlerësimeve të ekipeve në terren, flakët nuk paraqesin rrezik për banesat. Edhe në zonat e tjera të prekura, situata pranë territoreve të banuara raportohet nën kontroll ose pa rrezik të drejtpërdrejtë.

Ndërhyrja vijon si nga toka, ashtu edhe nga ajri, veçanërisht në zonat ku terreni i vështirë dhe kushtet atmosferike pengojnë punën e forcave operacionale.

Situata mbetet në monitorim, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë operacionet për izolimin e plotë të vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.