Patosi nis konsultimet për Reformën Administrative-Territoriale 2.0

Bashkia Patos ka njoftuar zhvillimin e dëgjesave publike në kuadër të Reformës Administrative-Territoriale 2.0 dhe projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Në kuadër të procesit të konsultimit publik, banorët e Bashkisë Patos, përfaqësuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë do të kenë mundësi të paraqesin opinionet, komentet dhe rekomandimet e tyre lidhur me draftin e reformës dhe ndikimin e saj në organizimin e pushtetit vendor.

Bashkia thekson se konsultimet synojnë garantimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me legjislacionin për vetëqeverisjen vendore dhe konsultimin publik.

Komentet dhe rekomandimet mund të dërgohen brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit, në adresën info@bashkiapatos.gov.al.

Kalendarin e konsultimeve publike Bashkia Patos e ka publikuar në faqen zyrtare të saj.

Kalendari i plotë:

  • 9 shtator, ora 18:00 – Dëgjesë publike për Reformën Administrative-Territoriale 2.0, para Pallatit të Kulturës Patos.
  • 10 shtator, ora 10:00 – Dëgjesë me banorët e njësisë administrative Ruzhdie, në Ruzhdie.
  • 10 shtator, ora 18:00 – Dëgjesë me bizneset, në Bar Gjermani.
  • 11 shtator, ora 10:00 – Dëgjesë me institucionet publike, në Sallën e Këshillit Bashkiak Patos.
  • 15 shtator, ora 10:00 – Dëgjesë me banorët e njësisë administrative Zharrëz, në Zharrëz.
  • 16 shtator, ora 10:00 – Dëgjesë me shoqërinë civile, intelektualët dhe ekspertët, në Sallën e Këshillit Bashkiak Patos.
  • 16 shtator, ora 14:00 – Dëgjesë me të rinjtë, në Sallën e Këshillit Bashkiak Patos.
  • 17 shtator, ora 10:00 – Dëgjesë me të moshuarit dhe pensionistët, në Sallën e Këshillit Bashkiak Patos.
  • 17 shtator, ora 18:00 – Dëgjesë me gratë, në Sallën e Konferencave të Pallatit të Kulturës.
  • 18 shtator, ora 10:00 – Seancë dëgjimore përmbyllëse mbi Reformën Administrative-Territoriale 2.0, në Sallën e Këshillit Bashkiak Patos.

Në këto takime pritet të marrin pjesë anëtarë të Këshillit Bashkiak, kryetarë fshatrash, banorë, fermerë, biznese, përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, të rinj, pensionistë dhe grupe të tjera interesi.