Më shumë se katër orë diskutime, debate të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta mes kryeministrit Edi Rama dhe disa prej kryebashkiakëve të majtë. Mbledhja e zhvilluar në Kuç të Vlorës, ku në fokus ishte reforma territoriale dhe harta e re e bashkive, ka qenë larg një takimi rutinë.
Sipas burimeve, tensionet kanë kulmuar në përballjet e Ramës me kryetarët e bashkive që pritet të humbasin statusin, mes tyre Policanin, Dimalin, Selenicën dhe Divjakën.
Një nga momentet më të tensionuara është shënuar gjatë debatit mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Rama i ka bërë të qartë se, sipas tij, Zotkaj nuk duhej të ishte pjesë e takimit, ndërsa ka kritikuar ashpër edhe protestën e zhvilluar më herët në Poliçan, ku u dogjën kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.
Rama: “Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie.”
Zotkaj, i cili prej kohësh ka kundërshtuar publikisht shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, duke argumentuar se reforma do të largojë shërbimet nga qytetarët, ka mbrojtur qëndrimin e tij.
Zotkaj: “Komuniteti iu përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe kryeministrit. Nëse ka një mosmirënjohje, është ajo e PS-së.”
Debati ka vijuar edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gjatë diskutimit për rolin dhe kompetencat e pushtetit vendor, Rama i është drejtuar me ironi kryebashkiakes:
Rama: “Ju udhëheqësit e mëdhenj!”
Përgjigjja e Memajt ka qenë e drejtpërdrejtë:
Memaj: “Ç’udhëheqës, zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.”
Sipas burimeve, deklarata ka tensionuar më tej situatën, ndërsa Rama i ka kërkuar kryetares së Dimalit të largohej nga mbledhja.
Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm te Poliçani dhe Dimal. Edhe kryetarët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, kanë debatuar me Ramën dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke mbrojtur qëndrimin kundër shkrirjes së bashkive që drejtojnë.
Nga ana tjetër, Rama ka pretenduar se kundërshtimi i disa kryebashkiakëve po shkon përtej debatit institucional, duke i akuzuar se po nxisin komunitetet lokale kundër reformës territoriale.
Një tjetër pikë e fortë e diskutimit ka qenë ajo që kryebashkiakët e kanë cilësuar si standard të dyfishtë në përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen. Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues më të dobët performance, por megjithatë nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në ndryshimet e propozuara.
Mbledhja në Kuç, e cila zgjati mbi katër orë, u fokusua tërësisht te reforma territoriale, ndërsa debatet dhe përplasjet e drejtpërdrejta treguan edhe një herë kundërshtimet që ekzistojnë brenda strukturave vendore të së majtës për hartën e re administrative.










