Pas konfliktit të ndodhur të shtunën në Burgun e Fierit, ku mbetën të plagosur dy të dënuar, janë pezulluar nga detyra tetë efektivë të Policisë së Burgut Fier.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës dhe rishikimit të dytë të çështjes. Sipas burimeve, pezullimi do të jetë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e përgjegjësive të mundshme.
Në konflikt u përfshinë Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri, dhe Jurgen Zoto. Të dy mbetën të plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti është nisur nga Jurgen Zoto, i cili dyshohet se ka goditur Denis Bajrin. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të marrë masa edhe ndaj dy të dënuarve.
Efektivët e pezulluar janë:
- K/Inspektor G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
- Inspektor Sh.H., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
- Inspektor A.A., punonjës i rolit bazë;
- Inspektor D.GJ., punonjës i rolit bazë;
- Inspektor A.H., punonjës i rolit bazë;
- Inspektor P.K., punonjës i rolit bazë;
- Inspektor S.Ç., punonjës i rolit bazë;
- Inspektor A.S., punonjës i rolit bazë.
Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po verifikon edhe një informacion se pas konfliktit disa automjete të blinduara kanë qëndruar jashtë perimetrit të burgut dhe pranë spitalit. Sipas të dhënave paraprake, në këto automjete dyshohet se ndodheshin persona mbështetës të dy të dënuarve.
Prokuroria po heton ngjarjen, ndërsa në fokus janë edhe dyshimet për shpërdorim detyre dhe plagosje. Pritet një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me masat e marra dhe vijimin e hetimeve.










