Euro vijon rënien në tregun shqiptar të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për 10 gusht 2026, monedha europiane u këmbye me 93.07 lekë, duke humbur 0.12 lekë brenda një dite.
Kursi i ri e afron euron me nivelin e 93 lekëve, ndërsa forcimi i lekut po vijon prej muajsh. Një nga faktorët që ndikon në këtë tendencë janë hyrjet e larta të valutës në vend, veçanërisht gjatë sezonit turistik, përmes shpenzimeve të turistëve, remitancave dhe hyrjeve të kapitalit.
Rënie ka regjistruar edhe dollari amerikan. Sipas kursit zyrtar, ai u këmbye me 80.53 lekë, duke u zhvlerësuar me 0.33 lekë krahasuar me një ditë më parë.
Edhe franga zvicerane ka humbur vlerë ndaj lekut, duke zbritur në 99.67 lekë. Në të njëjtën linjë kanë lëvizur edhe jeni japonez, korona suedeze, korona norvegjeze, korona daneze, juani kinez dhe lira turke.
Ndërkohë, paundi britanik dhe dollari kanadez kanë shënuar rritje të lehtë. Paundi u forcua me 0.07 lekë, duke u kuotuar në 108.72 lekë, ndërsa dollari kanadez arriti në 57.76 lekë.
Forcimi i lekut në këtë periudhë lidhet edhe me rritjen e ofertës së valutës gjatë sezonit turistik. Hyrjet e eurove në ekonomi shtojnë ofertën në treg dhe krijojnë presion për uljen e kursit të monedhës europiane.
Një lek më i fortë favorizon importuesit, pasi produktet e blera jashtë vendit kushtojnë më pak në monedhën vendase. Në krahun tjetër, zhvlerësimi i euros prek eksportuesit, industrinë fason dhe familjet që kanë të ardhura në euro, pasi të njëjtat të ardhura, të konvertuara në lekë, marrin një vlerë më të ulët.










