Publikohet pamja e th*k*s së gjetur në burgun e Fierit, dyshohet se do të përdorej ndaj Denis Bajrit

Është publikuar pamja e thikës artizanale që u gjet në burgun e Fierit, e cila dyshohet se do të përdorej në sulmin ndaj të dënuarit Denis Bajri, alias Brajovic.

Ngjarja brenda burgut të Fierit ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa detaji i ri që është bërë publik lidhet me armën e ftohtë të sekuestruar nga autoritetet.

Sipas burimeve te informacionit, thika dyshohet se ishte përgatitur për t’u përdorur kundër Bajrit, i cili në dëshminë e tij para hetuesve ka akuzuar Ibrahim Licin si personin që, sipas tij, kishte urdhëruar sulmin.

Bajri ka pretenduar se Jurgen Zotaj kishte hyrë në qelinë e tij së bashku me Aldo Gjinin. Sipas dëshmisë së tij, Zotaj i kishte dhënë një telefon, ku në linjë ishte Ibrahim Lici, dhe pas komunikimit telefonik kishte tentuar ta sulmonte me thikë.

Pamja e publikuar tashmë i shtohet materialeve të administruara nga hetuesit, të cilët po verifikojnë rrethanat e incidentit dhe lidhjen e thikës me sulmin e pretenduar ndaj Bajrit.

Akuzat dhe pretendimet e personave të përfshirë janë ende objekt hetimi nga autoritetet.