Hyn ne Fuqi ndryshimet ne Kodin Rrugor, PEZULLIM I PATENTES edhe pas DY SHKELJEVE ME TELEFON

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë në fuqi më 7 gusht, duke sjellë masa më të ashpra për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit. Ndryshimet u prezantuan nga Drejtori i Policisë Rrugore, drejtues i parë Perlat Vatoci.

Në fokus janë drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, drejtimi nën efektin e alkoolit, shpejtësia dhe manovrat e rrezikshme në rrugë.

Sipas ndryshimeve të reja, personat që kapen duke drejtuar automjetin pa patentë do të përballen me shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në një vit. Për të miturit, kjo periudhë mund të shkojë deri në dy vite.

Ashpërsohen edhe masat për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Patenta do të hiqet përgjithmonë kur drejtuesi rezulton me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.

Gjoba më të larta parashikohen për manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës. Për këto shkelje, gjoba varion nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Ndryshime ka edhe për përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit. Shkelja sanksionohet tashmë edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.

Për drejtuesit e automjeteve, pezullimi i patentës do të aplikohet nëse ata ndëshkohen dy herë brenda një viti për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit. Më parë, pezullimi aplikohej pas tre shkeljeve.

Rregulla specifike parashikohen edhe për drejtuesit e rinj, të cilët e kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori do të ketë kufizime të posaçme për alkoolin dhe shpejtësinë.

Një tjetër ndryshim lidhet me shmangien e pezullimit të patentës përmes pagesës së dyfishit të gjobës maksimale. Me rregullat e reja, kur një shkelje parashikon edhe pezullimin e lejes së drejtimit, kjo masë do të aplikohet automatikisht.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, u bëri apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, deklaroi Vatoci.

Policia Rrugore njofton se strukturat në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e reja dhe janë udhëzuar për zbatimin korrekt të dispozitave të reja.