Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes publikon situatën e fundit: 227 forca në terren, ndërhyrje edhe nga ajri

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Sipas njoftimit, në terren janë angazhuar 227 forca operacionale dhe 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse. Gjatë operacioneve janë kryer edhe katër ndërhyrje nga ajri, me tre helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Në qarkun e Tiranës, në zonën e Dajtit, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri. Strukturat në terren vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes nga ajri të Forcave të Armatosura.

Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Në qarkun e Fierit, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Edhe vatra në zonën Koilac–Greshicë është nën kontroll dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk rrezikon banesat.

Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar. Në terren vijojnë të jenë aktive vetëm disa vatra të vogla, kryesisht në zona me vështirësi për ndërhyrje.

Në operacion janë angazhuar strukturat e Emergjencave Civile, Bashkia Krujë, MZSH-ja, shërbimi pyjor dhe Prefektura e Qarkut Durrës. Edhe në këtë zonë, autoritetet deklarojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata më problematike paraqitet në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore. Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës, flakët rrezikonin kishën, varrezat dhe disa banesa në zonë.

Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH-ja, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarë.

Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka arritur të ndalojë avancimin e flakëve dhe të shmangë prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth. Megjithatë, disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe ekipet në terren po punojnë për mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile po vijojnë pa ndërprerje operacionet në terren dhe nga ajri, me synim izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive.