Komisioni i Disiplinës shqyrton incidentin ne burgun FIER ,kërkohet largimi i 6 efektivëve

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka thirrur Komisionin e Disiplinës për të shqyrtuar incidentin e ndodhur në IEVP Fier.

Sipas burimeve, në mbledhje pritet të shqyrtohen masat e propozuara nga drejtoria e burgut të Fierit. Për 6 efektivë është kërkuar largimi nga detyra, ndërsa për 2 të tjerë është propozuar pezullimi.

Ndërkohë, për të burgosurit e përfshirë në konflikt është propozuar një masë shtesë disiplinore prej tre muajsh.

Paralelisht, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. Hetuesit po verifikojnë nëse konflikti ka qenë një përplasje e çastit mes të burgosurve apo nëse ngjarja ka qenë e organizuar ose e porositur.

Në kuadër të hetimit është marrë në pyetje edhe Denis Bajri. Sipas dëshmisë së tij, Gjini dhe Zoto e kanë thirrur dhe më pas e kanë sulmuar me mjete prerëse të improvizuara.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë, ndërsa vendimi për masat disiplinore ndaj efektivëve pritet të merret nga Komisioni i Disiplinës.