Rama për zjarrin në Krujë: Shteti ishte në këmbë, heronjtë tanë shmangën një tragjedi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke vlerësuar angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtrisë dhe policisë në përballimin e flakëve.

Rama thekson se zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe vështirësitë për ndërhyrje nga ajri gjatë orëve të natës, u vu nën kontroll pa shkaktuar viktima apo të lënduar në radhët e banorëve.

Sipas kryeministrit, bilanci i ngjarjes ishte një magazinë e shkrumbuar dhe asnjë banor i dëmtuar, ndërsa ndërhyrja e forcave në terren bëri të mundur shmangien e një situate me pasoja më të rënda.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës”, shkruan Rama, duke vënë në dukje se kushtet atmosferike dhe pamundësia për përdorimin e mjeteve ajrore gjatë natës e vështirësuan ndjeshëm operacionin.

Kryeministri ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të cilët sipas tij u përballën me flakët me “heroizëm” dhe “aftësi të spikatur profesionale”.

Rama ka ndarë gjithashtu një mesazh që, sipas tij, ka marrë gjatë orëve të natës nga një banor i Krujës, në momentin kur zjarri po merrte përmasa të mëdha.

“Zoti Kryeministër! Ju lutem zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ua shpërbleftë… por era po e përhap më shumë shpejtësi. Nëse është e mundur përforcime të tjera… shteti është në këmbë i tëri”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri e cilëson ndërhyrjen në Krujë si një tjetër përballje të vështirë me zjarret gjatë këtij gushti, duke theksuar rolin e forcave në terren në mbrojtjen e banorëve dhe shmangien e një bilanci tragjik.