Zbardhen detaje nga vr*sja në Korçë, 20-vjeçari ishte pjesë e Forcave të Armatosura

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko, pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës.

Sipas informacioneve paraprake, autori dyshohet se e ka ndjekur viktimën përpara se ta arrinte brenda një pallati në zonën ku ndodhi ngjarja.

Zuko, i cili nuk ishte banor i kësaj lagjeje, dyshohet se ka tentuar të fshihet në një pallat për t’i shpëtuar ndjekjes. Megjithatë, autori ka arritur ta gjejë brenda godinës dhe e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen.

20-vjeçari ishte pjesë e Forcave të Armatosura.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në arrati. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga Policia për detaje të mëtejshme.