1100 masa për shpejtësi deri në 230 km/h gjatë një jave, Hita: Një rregull i respektuar, një jetë e shpëtuar më shumë

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore rrugore për parandalimin e aksidenteve, duke përdorur mjete inteligjente për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, inspektoi nga terreni masat e ndërmarra nga Policia Rrugore në aksin interurban kryesor Rrogozhinë-Durrës.

Gjatë inspektimit, Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, bëri me dije se mjetet inteligjente po përdoren për monitorimin automatik të shpejtësisë dhe evidentimin e drejtuesve që shkelin normat e lejuara.

Sipas Vatocit, mjete të ngjashme janë dislokuar në akset kryesore të vendit, përfshirë Rrugën e Kombit dhe segmente të tjera interurbane.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se gjatë javës së fundit janë vendosur 1,100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa shpejtësia e evidentuar në disa raste ka arritur deri në 230 km/h.

Hita bëri të ditur gjithashtu se gjatë një viti, në të gjithë vendin, 1,075 drejtuesve u është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur të gjitha pikët, ndërsa janë proceduar 1,060 raste për drejtim automjeti pa leje drejtimi.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen me sistemin e Policisë së Shtetit për një monitorim më të saktë të shkeljeve në rrugët kryesore.

Sipas Hitës, objektivi i Policisë nuk është vetëm ndëshkimi i shkelësve, por mbi të gjitha ndërgjegjësimi i drejtuesve dhe parandalimi i aksidenteve.

Ai u bëri apel drejtuesve të automjeteve të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të respektojnë kufijtë e shpejtësisë.

“Shpejtësia vret. Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, deklaroi Hita.