2.5 miliardë lekë për rrugët në 12 qarqe, FSHZH hap dy tenderë

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur dy procedura prokurimi për ndërhyrje në infrastrukturën rrugore në 12 qarqe të vendit, me një fond total limit prej 2.5 miliardë lekësh.

Secila prej procedurave ka një fond limit prej 1.25 miliardë lekësh. Tenderi i parë përfshin qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, ndërsa i dyti mbulon qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër.

Sipas njoftimeve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, procedurat janë hapur më 7 gusht, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar më 9 shtator.

Ndërhyrjet do të fokusohen në akset rrugore që paraqesin dëmtime të shtresave asfaltike apo problematika që pengojnë qarkullimin normal të automjeteve.

Objektivi i projekteve është përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës rrugore, rritja e sigurisë së lëvizjes dhe përmirësimi i aksesit drejt zonave me potencial ekonomik dhe turistik.

Sipas raporteve teknike, ndërhyrjet do të përcaktohen në bazë të gjendjes së secilit segment rrugor, ndërsa identifikimi i akseve ku do të punohet do të bëhet nga bashkitë, në varësi të nevojave të tyre.

Specifikimet teknike përcaktojnë edhe standardet që duhet të respektohen gjatë zbatimit të punimeve, përfshirë organizimin e kantierit, kontrollin e cilësisë së materialeve, menaxhimin e trafikut, mbrojtjen e publikut dhe mjedisit, si dhe zbatimin e standardeve kombëtare e ndërkombëtare të ndërtimit.