Vala e të nxehtit përfshin Evropën, temperatura mbi 40°C dhe alarmi maksimal në Itali

Një valë ekstreme të nxehti ka përfshirë Evropën, duke sjellë temperatura rekord dhe paralajmërime për miliona qytetarë. Në disa vende termometri ka kaluar mbi 40 gradë Celsius, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e emergjencës për të përballuar pasojat e vapës.

Italia ka vendosur për herë të parë këtë vit të gjitha qytetet kryesore nën nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat. Ministria e Shëndetësisë shpalli “alarm të kuq” në 27 qytete të monitoruara nga sistemi kombëtar, nga Trieste në veri deri në Palermo në jug.

Autoritetet italiane paralajmërojnë se rreziku nga temperaturat ekstreme nuk prek vetëm të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, por të gjithë qytetarët. Banorëve dhe turistëve u është kërkuar të shmangin daljet në orët e pikut të vapës, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë shumë lëngje.

Për shkak të temperaturave të larta, në Romë janë marrë masa edhe për turistët. Orari i vizitave në monumente si Koloseu dhe Panteoni është zgjatur, ndërsa në hyrje të Koloseut janë vendosur pajisje freskuese me avull uji dhe pika ndihme mjekësore.

Ndërkohë, në Sllovaki është regjistruar temperatura më e lartë në historinë e vendit, me 42.2 gradë Celsius, ndërsa Austria ka shënuar rekord kombëtar me 41.2 gradë Celsius në Bad Deutsch-Altenburg.

Vapa ekstreme dhe mungesa e reshjeve kanë krijuar probleme edhe në sektorin energjetik. Në Sllovaki, niveli i ulët i ujit në lumin Danub ka detyruar hidrocentralin më të madh të vendit, Gabçikovo, të pezullojë shtatë nga tetë turbinat e tij, duke ulur prodhimin e energjisë.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive, duke rritur presionin mbi shëndetësinë, energjinë, transportin dhe turizmin në Evropë.