Furgoni përfundon në kanal ne Fier Shegan; një i moshuar në gjendje të rëndë


Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Fier–Shegan, në zonën e njohur si “Pushimi i Shoferit”, pranë kryqëzimit të fshatit Toshkëz, në Lushnjë.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz” është përplasur me një furgon. Si pasojë e përplasjes së fortë, një i moshuar ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Pas goditjes, furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet për dokumentimin e rrethanave të aksidentit dhe menaxhimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Aksi Fier–Shegan është një nga rrugët me fluks të lartë lëvizjesh, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur qarkullimi shtohet nga ardhja e emigrantëve dhe pushuesve. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur aksidentet.