Kanë nisur pagesat e kompensimit prej 10% të faturave të shitjeve për fermerët, ndërsa deri në fund të korrikut 2,397 fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga skema.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vlera që pritet të kalojë në llogaritë bankare të fermerëve arrin në 5.9 milionë euro, ndërsa potenciali total i kompensimit për shitjet e gjashtëmujorit të parë të vitit llogaritet në 13.8 milionë euro.
Përfitues janë fermerët e regjistruar si prodhues bujqësorë pranë administratës tatimore, me NIPT aktiv, që nuk janë të regjistruar për TVSH. Aplikimi kryhet online përmes sistemit eFiling, ku fermerët zgjedhin faturat përkatëse dhe llogarinë bankare ku do të marrin pagesën.
Sipas Administratës Tatimore, pas dorëzimit të kërkesës bëhet verifikimi i të dhënave dhe fermerët njoftohen nëse kërkesa është miratuar ose refuzuar.
Të dhënat e tatimeve tregojnë gjithashtu një rritje të formalizimit të sektorit bujqësor: në pesë muajt e parë të vitit ka 25% më shumë blerës me TVSH që furnizohen nga fermerët, 24% më shumë fermerë që shesin te blerësit me TVSH dhe 19% rritje të vlerës së transaksioneve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.










