Bashkia Patos renditet ndër njësitë e vetëqeverisjes vendore me performancën më të mirë në mbledhjen e të ardhurave nga taksa e pasurisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Patosi ka regjistruar një rritje prej 168% të të ardhurave nga kjo taksë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u renditur pas Himarës (+276%), Cërrikut (+262%) dhe Vlorës (+186%).
Në shkallë vendi, bashkitë arkëtuan 34.8 miliardë lekë (rreth 371 milionë euro) në gjysmën e parë të vitit, ose 81.9% më shumë se një vit më parë. Rritja është mbështetur kryesisht nga të ardhurat nga taksat vendore, veçanërisht taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme.
Të dhënat tregojnë se rritja e arkëtimeve u krijon bashkive më shumë mundësi për investime në infrastrukturë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.










