727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.
Në mbështetje të strukturave vendore kanë vepruar edhe 128 efektivë të Forcave të Armatosura, dy automjete zjarrfikëse, një autoambulancë mjekësore dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka vlerësuar punën e efektivëve të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve, duke theksuar përkushtimin dhe sakrificën e tyre në terren.
“Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë”, u shpreh ministri.
Sipas Nufit, strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri që prej fillimit të sezonit veror për të përballuar zjarret, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, komuniteteve dhe pasurive natyrore.










