Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë në vlerën 302 milionë dollarë për Shqipërinë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF).
Lajmi është bërë i ditur edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi këtë si një votë të rëndësishme besimi strategjik të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes së vendit.
Sipas ministrit, mbështetja amerikane do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale të Forcave të Armatosura dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të NATO-s.
Në reagimin e tij, Nufi shprehu mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara për partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e mbrojtjes së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e këtij financimi edhe për sigurinë e rajonit.
Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, marrëveshja synon avancimin e modernizimit ushtarak të Shqipërisë dhe forcimin e mbrojtjes evropiane në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.










