Shtatë aksidente ne ditën e sotme, dy viktima dhe nëntë të pl*gosur në të gjithë vendin

E hëna është shoqëruar me një bilanc të rëndë aksidentesh në rrugët e vendit. Brenda pak orësh janë regjistruar shtatë aksidente rrugore, me pasojë dy viktima dhe nëntë persona të plagosur.

Aksidenti më i rëndë gjatë mesditës u shënua në aksin Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Si pasojë e përplasjes, katër persona mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.

Pak minuta më vonë, në autostradën Durrës–Tiranë, pranë Sukthit, një aksident zinxhir përfshiu shtatë automjete. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por u shkaktuan vetëm dëme materiale dhe trafik i rënduar për disa orë.

Një tjetër aksident u regjistrua rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër Lushnjë–Berat. Një automjet doli nga rruga, u përplas me barrierat anësore të një ure dhe, pas disa rrotullimeve, përfundoi i përmbysur në mes të rrugës. Drejtuesja 28-vjeçare u dërgua në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Në lagjen Sheq i Madh në Fier, një drejtues motomjeti mbeti i plagosur pasi u përplas me një automjet.

Bilanci u rëndua në mbrëmje në Ksamil, ku rreth orës 18:10 një automjet tip “Benz” doli nga rruga në zonën e Lagunës. Si pasojë humbi jetën pasagjeri 20-vjeçar, Antonio Mateli, ndërsa drejtuesi i mjetit, 22 vjeç, u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 19:30, tre persona mbetën të plagosur në një tjetër aksident në aksin nacional Elbasan–Cërrik, pas përplasjes së një automjeti me një furgon.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes, një aksident i rëndë u regjistrua në aksin Lezhë–Milot, pranë kryqëzimit të Shënkollit, ku një automjet dyshohet se përplasi për vdekje një këmbësor. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Autoritetet vijojnë hetimet për shkaqet e secilit prej aksidenteve, ndërsa bilanci i kësaj të hëne e rendit ditën ndër më të rëndat për sa i përket sigurisë rrugore.