Qytetarët e Patosit protestojnë kundër shkrirjes së bashkisë me Fierin

Dhjetera qytetarë, zhvilluan sot një protestë para godinës së bashkisë në shenjë kundërshtimi ndaj draftit të qeverisë për reformën territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.

Pjesëmarrësit në protestë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj këtij propozimi, duke theksuar se Patosi ka potencialin dhe kapacitetet për të vijuar funksionimin si një bashki më vete. Ata kërkuan që qeveria të rishqyrtojë draftin dhe të zhvillojë konsultime me komunitetin përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

Protesta vjen një ditë pasi kryetari i Bashkisë Patos doli me një deklaratë publike kundër projektit të reformës. Ai argumentoi se Bashkia Patos nuk plotëson kriteret për t’u shkrirë, duke theksuar se, bazuar në treguesit e performancës, ajo renditet ndër 10 bashkitë me performancën më të lartë në vend.

Sipas tij, rezultatet në administrimin financiar, ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e institucionit dëshmojnë se Bashkia Patos është funksionale dhe meriton të ruajë statusin e saj si njësi e pavarur e qeverisjes vendore.