Kolonat e gjata në pikën kufitare Karasoviçi–Debeli Brijeg, mes Kroacisë dhe Malit të Zi, po shkaktojnë vështirësi për mijëra udhëtarë, mes tyre edhe shumë shtetas shqiptarë që po kthehen drejt vendeve të Evropës Perëndimore pas pushimeve verore.
Sipas mediave kroate, radhët e automjeteve kanë arritur mbi 20 kilometra, ndërsa koha e pritjes shkon deri në 10 orë. Ka edhe raportime jozyrtare për raste kur udhëtarët kanë qëndruar në kufi deri në 28 orë.
Për të përballuar situatën, banorët e zonës së Konavles kanë hapur dyert e shtëpive për përdorimin e tualeteve dhe pushimin e udhëtarëve, ndërsa autoritetet lokale kanë vendosur cisterna me ujë të pijshëm për personat e bllokuar në trafik.
Për situatën ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila thekson se pritjet e gjata në kufirin Kroaci–Mali i Zi janë një fenomen që përsëritet pothuajse çdo verë për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve.
Ministria bën të ditur se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendeve përkatëse për të përshpejtuar procedurat kufitare dhe për të rritur kapacitetet e kalimit.
Sipas MEPJ-së, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë çdo sezon veror përmes këtij korridori rrugor, duke krijuar ngarkesë të konsiderueshme në pikat kufitare. Autoritetet shqiptare theksojnë se do të vijojnë bashkëpunimin me institucionet rajonale për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Ndërkohë, autoritetet kroate u rekomandojnë udhëtarëve të përdorin itinerare alternative përmes Bosnjë dhe Hercegovinës ose transportin detar nga Durrësi drejt porteve italiane, për të shmangur kolonat e gjata në kufirin Kroaci–Mali i Zi.










