Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka deklaruar se qytetarët e kësaj bashkie do t’i drejtohen referendumit për të kundërshtuar propozimin për shkrirjen e njësisë vendore në kuadër të reformës territoriale.
Sipas Currit, nuk është zhvilluar asnjë konsultim me komunitetin për këtë nismë, e cila, sipas tij, do të përshpejtojë shpopullimin e zonës.
Ai theksoi se Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk përbën barrë financiare për shtetin, duke argumentuar se në territorin e saj operojnë biznese të industrisë së rëndë, taksat e të cilave kontribuojnë në buxhetin e bashkisë.
Kryebashkiaku demokrat paralajmëroi se do ta ndjekë këtë çështje deri në instancat ndërkombëtare, ndërsa bëri të ditur se qytetarët e Fushë-Arrëzit, së bashku me diasporën, do të mobilizohen në protesta kundër reformës së propozuar.










