Reforma territoriale, drejtues të Këshillit Bashkiak Patos kundërshtojnë bashkimin me Fierin

Vazhdon të zgjerohet kundërshtimi ndaj propozimit të Komisionit për Reformën Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Patos, Armand Ahmetaj, ka bërë publike një deklaratë ku shpreh mbështetjen për qëndrimin e qytetarëve që kundërshtojnë këtë propozim, duke theksuar se çdo vendimmarrje duhet të bazohet në një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor.

Ahmetaj vlerëson se propozimi nuk pasqyron interesin më të mirë të qytetarëve të Patosit dhe se, në cilësinë e përfaqësuesit të zgjedhur, e konsideron detyrim institucional dhe moral mbrojtjen e interesave të bashkisë, identitetit të saj administrativ, historik dhe shoqëror, si dhe të drejtës së banorëve për t’u dëgjuar.

Deklaratës së Kryetarit të Këshillit Bashkiak i janë bashkuar edhe disa anëtarë të Këshillit, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për kundërshtimin e reformës territoriale dhe për ruajtjen e Bashkisë Patos si njësi më vete e vetëqeverisjes vendore.

Në deklaratë u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që, përpara marrjes së çdo vendimi përfundimtar, të dëgjojnë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Patosit, duke theksuar se çdo reformë territoriale duhet të mbështetet në parimet e demokracisë vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut.

DEKLARATË PUBLIKE

Duke marrë në konsideratë shqetësimin dhe reagimet e shumta të qytetarëve të Bashkisë Patos, të cilët kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të Komisionit për Reformën Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Patos, si dhe pas takimeve e konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e Këshillit Bashkiak ,dëshiroj të shpreh qëndrimin tim të qartë në mbështetje të vullnetit të komunitetit që përfaqësojmë.
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Patosit vlerësoj se ky propozim nuk pasqyron interesin më të mirë të qytetarëve dhe nuk duhet të ecë përpara pa një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor.
Si përfaqësues i zgjedhur nga qytetarët, e konsideroj detyrim institucional dhe moral të mbroj interesat e Bashkisë Patos, identitetin e saj administrativ, historik dhe shoqëror, si dhe të drejtën e banorëve për t’u dëgjuar në çdo vendimmarrje që prek të ardhmen e tyre.
I siguroj të gjithë qytetarët se zëri, mendimi dhe vullneti i tyre do të jenë zëri, mendimi dhe qëndrimi im. Në përmbushje të mandatit që kam marrë prej tyre, do të mbështes çdo nismë institucionale e ligjore që mbron vazhdimësinë e Bashkisë Patos si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
Ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse që, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare, të dëgjojnë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Patosit, pasi çdo reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi parimet e demokracisë vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut.

RESPEKT !