Trump: SHBA mund të përballet me krizë si Ceuta nëse demokratët rikthehen në pushtet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përdorur krizën migratore në enklavën spanjolle të Ceutës për të paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me një situatë të ngjashme nëse demokratët rikthehen në pushtet.

Në një intervistë për Fox News, Trump u bëri thirrje amerikanëve të shohin pamjet nga Ceuta, duke i cilësuar ato si një paralajmërim për të ardhmen e SHBA-së në rast të ndryshimit të administratës. Ai theksoi se politika e emigracionit mbetet një nga prioritetet kryesore të presidencës së tij.

Edhe Shtëpia e Bardhë reagoi, duke fajësuar “politikat globaliste të ekstremit të majtë” për krizën në Ceuta, ku sipas autoriteteve kanë humbur jetën të paktën 43 persona gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Maroku drejt territorit spanjoll.

Nga ana tjetër, kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, vizitoi Ceutën dhe akuzoi rrjetet e kontrabandës së emigrantëve për organizimin e kalimeve të paligjshme, duke kërkuar dënimin e tyre. Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rreth 37.500 emigrantë të futur në mënyrë të parregullt janë kthyer tashmë në Marok.

Bashkimi Evropian deklaroi se kriza nuk është përhapur në kontinent dhe se nuk janë regjistruar lëvizje migratore nga Ceuta drejt pjesës tjetër të Evropës.

Zhvillimet pritet të shtojnë tensionet mes Uashingtonit dhe Madridit, ndërsa mosmarrëveshjet mbi shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s mbeten të hapura.

Në debat u përfshi edhe Elon Musk, i cili fillimisht krahasoi pamjet nga Ceuta me filmin “World War Z”, përpara se ta cilësonte postimin si shaka. Më pas ai publikoi një tjetër video ku krahasoi situatën në Ceuta me kufirin SHBA-Meksikë gjatë administratës së Joe Biden.