Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë këtë të enjte në inaugurimin e godinës së re të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, duke e cilësuar investimin si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe forcimin e sigurisë publike.
Gjatë fjalës së tij, Hita u shpreh se infrastruktura moderne, e kombinuar me profesionalizmin dhe etikën e punonjësve të policisë, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në garantimin e një mjedisi më të sigurt për banorët dhe turistët që vizitojnë Beratin.
Duke komentuar rezultatet e sondazheve që e rendisin Drejtorinë Vendore të Policisë Berat në vendet e para për rendin dhe qetësinë, ai theksoi se qarku ka një nga nivelet më të ulëta të kriminalitetit në Shqipëri, falë numrit shumë të vogël të krimeve të rënda.
Megjithatë, kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se kjo nuk do të thotë ulje e vigjilencës ndaj fenomeneve kriminale. Sipas tij, prioritetet kryesore të punës së Policisë në Berat do të mbeten lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe parandalimi dhe goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave.
Hita theksoi se këto problematika do të jenë në fokus jo vetëm të Policisë së Beratit, por edhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e rendit e sigurisë për qytetarët.










