Është bërë publik propozimi i Partisë Socialiste për Reformën e re Administrativo-Territoriale, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46, si edhe krijimin e 71 qyteteve.
Sipas dokumentit të propozuar, 15 bashki do të shkrihen përmes bashkimeve me njësi të tjera. Bëhet fjalë për bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Një nga ndryshimet që ka tërhequr më shumë vëmendje është bashkimi i Bashkisë Përrenjas me Bashkinë Librazhd, pavarësisht protestave të zhvilluara ditët e fundit nga banorë dhe përfaqësues lokalë kundër këtij propozimi.
Partia Socialiste ka publikuar gjithashtu edhe hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale, ku pasqyrohen ndryshimet e propozuara në organizimin e bashkive dhe qarqeve në Shqipëri.
Propozimi pritet të jetë pjesë e diskutimeve politike dhe institucionale përpara se të ndiqen procedurat për miratimin e tij.










