Rama: Miratohet leja e parë e Paketës së Maleve

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e parë në kuadër të Paketës së Maleve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njoftoi se përfituesja e parë është familja Hasani nga Thethi, e cila do të investojë kursimet e saj në pronën e trashëguar në vendlindje, me synim zhvillimin e agroturizmit, bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit.

Sipas kryeministrit, familja ka vendosur të rikthehet në Shqipëri për të ringritur shtëpinë e të parëve dhe për të zhvilluar aktivitet ekonomik në zonë.

“Sot kaloi, u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri”, shkruan Rama.

Ai shton se Paketa e Maleve u jep trashëgimtarëve mundësinë që, tashmë të mbështetur edhe nga ligji, të rindërtojnë shtëpitë e trashëguara dhe të zhvillojnë aktivitete në agroturizëm, prodhim bujqësor e blegtoral, si dhe agropërpunim në pronat e familjeve të tyre.