SPAK: 16 zyrtarë të lartë nën hetim, sekuestrohen pasuri me vlerë 440 milionë euro në shtatë muajt e parë të 2026

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vënë nën hetim 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 440 milionë euro.

Bilanci u prezantua nga kreu i SPAK, Klodian Braho, në takimin e parë me gazetarët që nga marrja e detyrës, ku u raportua puna e institucionit për periudhën 1 janar–15 korrik 2026.

Sipas raportit, janë hetuar 13 procedime penale që përfshijnë pesë kryetarë ose ish-kryetarë bashkish, pesë drejtues ose ish-drejtues institucionesh qendrore, tre gjyqtarë, ish-gjyqtarë ose prokurorë, dy ministra ose ish-ministra dhe një deputet.

Ndërkohë, me kërkesë të SPAK kanë marrë dënim të formës së prerë shtatë ish-zyrtarë të lartë: dy ish-kryetarë bashkish, një ish-ministër, dy ish-deputetë dhe dy ish-prokurorë.

Në kuadër të hetimeve financiare janë sekuestruar pasuri të shumta, përfshirë mbi 150 mijë metra katrorë tokë, truall dhe pyje, më shumë se 60 vila, apartamente dhe hotele, mbi 10 shoqëri tregtare, më shumë se 620 llogari bankare, si dhe rreth 100 automjete dhe mjete lundruese.

Sipas SPAK, vlera e pasurive të sekuestruara vetëm gjatë kësaj periudhe është rreth 440 milionë euro, dyfish më e lartë se totali i raportuar për vitet 2020–2025, kur sekuestrimet arritën në rreth 220 milionë euro.

Raporti evidenton gjithashtu rritje të aktivitetit hetimor. Deri më 15 korrik janë përfunduar 183 procedime penale, 64.9% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjykatë janë dërguar 34 çështje të reja me 228 të pandehur, janë caktuar 97 masa sigurimi ndaj 94 personave, prej të cilëve 37 me masën “arrest në burg”, ndërsa 31 persona janë shpallur në kërkim.