Arrestohet edukatorja e një kopshti privat, dyshohet se q*ll*i me shpullë një fëmijë 2-vjeçar

Lajmi:

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar.

Në pranga është vënë 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu. Denoncimi është bërë nga babai i të miturit, i cili, pasi ka vënë re shenja dhune në fytyrën e djalit, e ka dërguar fillimisht në spital për ekzaminime mjekësore.

Sipas burimeve, fëmija kishte një të nxirë në faqe dhe skuqje në veshë. Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçarja dyshohet se ka pranuar se e ka goditur fëmijën me shpullë, duke deklaruar se ai nuk po flinte dhe se ajo “nuk po e duronte dot”.

Burimet bëjnë me dije gjithashtu se edhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin kur edukatorja ushtron dhunë fizike ndaj 2-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve ligjore ndaj 32-vjeçares.