Financim deri në 2 milionë euro për sipërmarrjet në bujqësi dhe blegtori

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, promovoi nismën “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, e cila synon të lehtësojë financimin për sipërmarrjet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Gjatë një vizite në një kompani të specializuar në përpunimin e ullirit dhe produkteve të peshkut, Salla prezantoi përfitimet e skemës, e cila u jep bizneseve mundësinë të investojnë, të zgjerojnë kapacitetet përpunuese, të krijojnë vende të reja pune dhe të rrisin praninë e produkteve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Sipas ministrit, nisma ofron kredi deri në 2 milionë euro me interes 2%, ndërsa 50–70% e kolateralit mbulohet nga shteti, duke e bërë më të lehtë aksesin në financim për agrobizneset.

Autoritetet theksojnë se bujqësia dhe blegtoria mbeten ndër sektorët me nevojën më të madhe për financim, për të shfrytëzuar potencialin e vendit, për të rritur investimet dhe për të krijuar më shumë vende pune, duke ndikuar edhe në frenimin e emigracionit.