Flakët shuan jetën e një nëne të re dhe dy fëmijëve, familja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania

Kanë dalë në dritë detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur këtë të mërkurë në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, në Shkodër, ku një zjarr që përfshiu një banesë i mori jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj të mitur, të moshave 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 13:10. Menjëherë pas njoftimit, drejt vendit të ngjarjes u nisën shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, por ndërhyrja u vështirësua për shkak të terrenit të thepisur. Banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike dhe, kur ekipet e emergjencës mbërritën, flakët e kishin shkrumbuar pothuajse tërësisht.

Sipas informacioneve paraprake, familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. Mësohet se 24-vjeçarja kishte shkuar së bashku me dy fëmijët në banesën e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, kur zjarri shpërtheu dhe përfshiu objektin.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. Autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim të hetimeve.