Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se skema e rimbursimit të 10% të TVSH-së për fermerët po zbatohet normalisht, ndërsa administrata tatimore po zhvillon fushata informuese dhe trajnime në të gjithë vendin për të rritur numrin e aplikimeve.
Gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, Binaj tha se në sistem janë të regjistruar rreth 100 mijë fermerë, por vetëm 10 mijë prej tyre kanë qenë aktivë me autofatura. Sipas tij, potenciali i rimbursimit vlerësohet në rreth 15 milionë euro, në përputhje me parashikimet e buxhetit.
Ai theksoi se trajnimet kanë nisur në Lushnjë, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve në qarqet e Lushnjës dhe Fierit, ku janë regjistruar rreth 1,500 kërkesa. Më pas, fushata do të vijojë në Shkodër, Berat, Korçë dhe qarqe të tjera.
Binaj sqaroi se aplikimi kryhet tërësisht online, përmes telefonit ose tabletit, pa dokumente në letër, ndërsa problemet e hasura deri tani lidhen kryesisht me informimin dhe përditësimin e kodeve të aktivitetit ekonomik të disa grumbulluesve.
Deri më tani, rreth 2,400 fermerë kanë aplikuar për rimbursim, me një vlerë totale kërkesash prej afro 5.9 milionë eurosh. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pagesat do të nisin në fillim të muajit gusht dhe do të kalojnë drejtpërdrejt në llogaritë bankare të fermerëve.










