Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, është arrestuar në qytetin e Amiens, Francë.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Fillimisht, Beqiri u ndalua nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, pasi po fluturonte me helikopter mbi një central bërthamor, dhe më pas çështja iu referua strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre: heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme në tendera publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Aktualisht, Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë. Ai pritet të paraqitet para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar dhe do të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.










