Parakalim i gabuar shkakton aksident në aksin Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, 3 të pl*gosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet me targa greke dyshohet se ka tentuar të kryejë një parakalim të gabuar ndaj një mjeti me targa italiane. Si pasojë e manovrës, automjeti me targa italiane ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Në mjetin e dalë nga rruga udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës me dy autoambulanca.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e aksidentit, si dhe po menaxhojnë qarkullimin në këtë segment rrugor.

Aksi Pushimi i Shoferit–Fier Shegan konsiderohet prej vitesh një nga segmentet problematike të qarkullimit, për shkak të gjerësisë së kufizuar dhe fluksit të lartë të automjeteve, duke u bërë shpesh skenë e aksidenteve rrugore.