Këshilli i Etikës përjashton Agron Shehajn për 60 ditë nga Kuvendi

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur pezullimin për 60 ditë të kreut të Partisë Mundësia dhe deputetit Agron Shehaj nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Vendimi u miratua me 3 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa shumica parlamentare votoi në favor të masës disiplinore, pas kërkesës së Partisë Socialiste.

Sipas PS-së, Shehaj u përfshi në një incident gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak. Socialistët pretendojnë se deputeti tentoi të merrte me vete një dokument të klasifikuar, pavarësisht kundërshtimit të stafit të Kuvendit, dhe se gjatë ngjarjes një këshilltare u rrëzua në shkallë duke pësuar dëmtime.

Përveç pezullimit, PS ka kërkuar referimin e çështjes në SPAK, duke argumentuar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë shkelje penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve dhe pengimin e detyrës së funksionarëve publikë.

Nga ana tjetër, Agron Shehaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij synonin të denonconin mungesën e transparencës për marrëveshjen dhe përdorimin e procedurës së përshpejtuar për miratimin e saj, të cilën ai e konsideron në kundërshtim me Kushtetutën.