Shefi i Policisë së Roskovecit per ngjarjen ne Vidhisht: “Autori më kërkoi të afrohesha i vetëm dhe pa armë”

Detaje të reja janë bërë publike nga negociatat që çuan në lirimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, pas ngjarjes së rëndë në Vidhishtë të Roskovecit.

Shefi i Stacionit Policor të Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, ka treguar se negociatat me autorin zgjatën për disa orë dhe se ishte vetë Buzi ai që kërkoi praninë e tij pranë automjetit ku mbante peng të renë.

Sipas Koroveshajt, autori vendosi si kusht që polici të afrohej i vetëm dhe i paarmatosur. Kërkesa u pranua për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar shpëtimin e jetës së pengut.

“Autori kërkoi që unë të afrohesha personalisht. Më pas më kërkoi të isha i paarmatosur dhe i vetëm. E zbatova kërkesën e tij, pasi prioriteti ynë ishte të shpëtonim jetën e vajzës dhe të shmangnim çdo veprim që mund ta acaronte më tej”, është shprehur Koroveshaj.

Ai tregoi se u afrua deri në rreth dy metra nga automjeti, ndërsa i gjithë operacioni monitorohej nga forcat speciale RENEA.

“Kur u afrova, ai më tha të mos bëja asnjë hap tjetër, sepse do të vriste veten. U tërhoqa dhe vazhduam negociatat derisa u bë e mundur lirimi i pengut. Çdo sekondë ishte vendimtare”, tha shefi i policisë.

Sipas tij, Rozalinda Plaka ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe kishte pësuar dëmtime fizike gjatë rrëmbimit. Për shkak se nuk mund të ecte, Koroveshaj e mori në krahë për ta larguar menjëherë nga zona e rrezikut.

Pas largimit të saj, ai u rikthye pranë autorit për të vijuar negociatat me synimin që ai të dorëzonte armën dhe ngjarja të përfundonte pa viktima të tjera.

Koroveshaj e cilësoi këtë operacion si momentin më të vështirë në 12 vitet e karrierës së tij në Policinë e Shtetit.