Aksident ne Vlore- Llogara,humb jetën një 52-vjeçar, 5 të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 06:10 të mëngjesit të së dielës në aksin Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, një furgon që transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Si shkak paraprak i aksidentit dyshohet përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një problem të papritur shëndetësor, ndërsa rrethanat e plota do të përcaktohen nga hetimet.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë.

Për shkak të deformimit të furgonit, u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat prenë pjesë të mjetit për të nxjerrë të plagosurit që kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave.

Të lënduarit u transportuan me autoambulanca në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u dërgua në morg.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.