Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar propozimet e përzgjedhura për serinë e re të kartëmonedhave euro, duke shënuar ridizajnimin e parë të plotë të tyre që nga futja në qarkullim në vitin 2002.
Propozimet janë rezultat i një konkursi dizajni në nivel të Bashkimit Evropian, ku morën pjesë mbi 1,200 dizajnerë grafikë. Kartëmonedhat aktuale do të vazhdojnë të kenë vlerë ligjore dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re.
Ndër dizajnet e propozuara spikasin figura të njohura historike dhe kulturore, si shkencëtarja Maria Skłodowska-Curie, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci. Një seri tjetër fokusohet te natyra, duke paraqitur specie të ndryshme shpendësh, përfshirë lejlekun e bardhë.
Sipas BQE-së, ridizajnimi synon jo vetëm t’u japë kartëmonedhave një pamje të re, por edhe të rrisë qëndrueshmërinë e tyre dhe të ulë ndikimin në mjedis.
Gjatë kësaj të shtune, koleksioni i propozuar u prezantua edhe në Kosovë. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga BQE-ja, duke theksuar se kjo nismë ka rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi euro është valuta zyrtare e vendit.
Ai nënvizoi se, megjithëse Kosova nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, reformat në sistemin e pagesave dhe avancimi i procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) e afrojnë vendin me standardet evropiane.
Qytetarët mund të shprehin preferencën e tyre për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro duke marrë pjesë në konsultimin publik të BQE-së përmes lidhjes së publikuar nga institucioni.










