Nertil Buzi, 35-vjeçari i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit, plagosjen e ish-vjehrrës dhe rrëmbimin e ish-partneres në Roskovec, ishte përfshirë edhe më herët në një ngjarje të rëndë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2022, Buzi u rrëmbye në Londër nga shtatë shtetas shqiptarë, të cilët më pas u arrestuan nga Policia britanike. Ai u mbajt peng për rreth një javë, ndërsa pengmarrësit kërkonin 400 mijë sterlina nga familjarët e tij, duke kërcënuar se do ta vrisnin nëse shuma nuk paguhej.
Sipas raportimeve të kohës, rrëmbimi dyshohej të kishte lidhje me përplasjet mes grupeve rivale për kontrollin e shtëpive të kultivimit të kanabisit. Gjatë kohës që mbahej peng, Buzi u keqtrajtua dhe pamje të dhunës ndaj tij iu dërguan familjarëve për të ushtruar presion për pagesën e shumës së kërkuar.
Operacioni i Policisë britanike u zhvillua në ditën kur skadonte afati i vendosur nga pengmarrësit. Buzi u shpëtua, ndërsa shtatë persona përfunduan në pranga.
Sot, emri i tij është sërish në qendër të kronikës, pasi autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim si të dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit Arben Plaka, plagosjen e ish-vjehrrës Belere Plaka dhe rrëmbimin e ish-partneres në Roskovec. Pas disa orësh, e reja u lirua, ndërsa 35-vjeçari vijon të jetë në arrati dhe kërkohet nga Policia.










