Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 1.8 milionë euro të shtetasit me iniciale A.M., të dyshuara se burojnë nga veprimtari kriminale, kryesisht prodhimi, shitja dhe trafikimi i lëndëve narkotike.
Vendimi u mor në përfundim të shqyrtimit të procedimit pasuror nr. 3 të vitit 2024, pasi hetimi financiar evidentoi një disproporcion të konsiderueshëm mes pasurisë së krijuar dhe të ardhurave të ligjshme të subjektit. Sipas Prokurorisë, një pjesë e pasurive ishin regjistruar në emër të personave të tjerë për të fshehur pronësinë reale dhe origjinën e fondeve.
Mes pasurive të konfiskuara janë disa prona në Fier dhe Tiranë, përfshirë një ndërtesë dykatëshe me sipërfaqe 625.1 m², një apartament 3+1 dhe një vendparkim në kryeqytet.
Po ashtu, janë konfiskuar 12 automjete, mes të cilave spikasin një Lamborghini Urus, një Mercedes-Benz G63 AMG, një Audi RS Q8, një Audi S8, dy BMW X5, si dhe mjete të tjera, përfshirë një autobus Neoplan.
Në favor të shtetit kaluan edhe disa llogari bankare në euro dhe lekë, me një vlerë totale prej dhjetëra mijëra eurosh dhe miliona lekësh.
Ndërkohë, Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa po verifikohen edhe pasuri të tjera të konsiderueshme.
Organi i akuzës thekson se zbatimi i ligjit “Antimafia” mbetet një nga prioritetet kryesore, me synim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të paligjshme, si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.










