Pas bllokimit të foltores së Kuvendit nga deputetët e opozitës, mazhoranca miratoi me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim propozimin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për të ndërprerë diskutimet dhe për të kaluar drejtpërdrejt në votimin e çështjeve të rendit të ditës.
Vendimi u mor pasi diskutimet për reformën territoriale u bënë të pamundura për shkak të bllokimit të foltores nga opozita. Më pas, Kuvendi vijoi me votimin e projektrezolutave për institucionet e pavarura të drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, Balla akuzoi opozitën se po zbaton një skenar të përsëritur për të penguar zhvillimin normal të seancave parlamentare. Ai hodhi poshtë pretendimet se në seancën e kësaj të enjteje ishte parashikuar votimi i reformës territoriale, duke sqaruar se në rendin e ditës ishte vetëm prezantimi i raporteve nga palët.
“Nuk ka asnjë surprizë. Në seancën e ditës së hënë skenari ishte të mos lëmë të flasë Avokati i Popullit. U bllokua foltorja që të mos fliste Endri Shabani. Sot skenari është të mos lëmë të flasë z. Mazniku. Është e pavërtetë ajo që thoni se sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten raportet e dy palëve. Duke qenë se deputetët bllokojnë foltoren në mënyrë të përsëritur, kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në çështjet e rendit të ditës”, deklaroi Balla










