Gentian Koçi zgjidhet anëtar i Komisionit të Apelimit të Partisë Demokratike

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka përfunduar procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve, drejtuesve të sekretariateve dhe anëtarëve të Komisionit të Apelimit, duke rikonfirmuar Flamur Nokën në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Noka mori 184 vota, kundrejt 84 votave të rivalit të tij, Saimir Korreshi. Në drejtimin e partisë mbeten gjithashtu Gazment Bardhi si kryetar i Grupit Parlamentar dhe Agron Gjekmarkaj si nënkryetar.

Tre nënkryetarët e rinj të zgjedhur janë Belind Këlliçi, Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar miratoi edhe drejtuesit e sekretariateve të reja, mes tyre Klevis Balliu si Sekretar Organizativ, Marash Logu për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Viola Kapedani për Marrëdhëniet me Publikun, Fjoralba Dizdari për Integrimin Evropian dhe Et’hem Aga për Diasporën.

Në përfundim të procesit u zgjodhën edhe pesë anëtarët e Komisionit të Apelimit të Partisë Demokratike. Mes tyre është edhe Gentian Koçi, i cili siguroi 104 vota, duke u renditur mes pesë kandidatëve më të votuar. Së bashku me Koçin, në këtë strukturë u zgjodhën edhe Adriana Kalaja, Besart Logu, Shaqir Manjani dhe Suina Asllanaj.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi procesin një hap të rëndësishëm në ripërtëritjen e partisë, duke deklaruar se ekipi i ri drejtues është “më i miri që ka pasur ndonjëherë Partia Demokratike”. Ai shtoi se ndryshimet organizative do të vijojnë gradualisht edhe në nivelet e tjera drejtuese, përfshirë drejtuesit politikë në qarqe.