Katër persona të paidentifikuar kanë grabitur gjatë orëve të para të mëngjesit tre pako nga magazinat e një kompanie postare në Yrshek.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:10, kur autorët kanë marrë dërgesat dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ende nuk dihet përmbajtja e pakove të grabitura, ndërsa kompania postare po kryen inventarin për të identifikuar dërgesat e marra, porositësit dhe vendin e nisjes së tyre.
Burime bëjnë me dije se grupi hetimor nuk përjashton asnjë pistë, përfshirë edhe mundësinë që në njërën prej pakove të ketë pasur sende të jashtëligjshme, por kjo mbetet një dyshim që pritet të verifikohet gjatë hetimeve.
Policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë kontrolleve në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër, e cila dyshohet se u ka rënë grabitësve gjatë largimit.
Ndërkohë, në lagjen “Sorraj”, në Kashar, është gjetur një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas grabitjes. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.










