Një 66-vjeçar është gjetur i pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga flakët mëngjesin e së hënës në lagjen nr. 10 të Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima jetonte i vetëm, ndërsa familja e tij ndodhej në Greqi. Gjatë veprimeve hetimore, policia ka gjetur një shënim të lënë prej tij, i cili po administrohet si provë dhe po verifikohet në kuadër të hetimeve.
Bazuar në të dhënat paraprake, dyshohet se 66-vjeçari mund të ketë shkaktuar vetë zjarrin brenda automjetit, por rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10 të Korçës, një automjet tip “Benz” u përfshi nga flakët. Pas shuarjes së zjarrit, brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, u gjet pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e plota të ngjarjes.








