Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar dhe pritet vendimi i gjykatës për masën e sigurisë.
Gjatë seancës, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masën “arrest me burg” për tre të dyshuarat, ndërsa mbrojtja ka kërkuar “detyrim paraqitjeje”.
Sipas burimeve nga seanca, shefja e financës së filialit, Valbona Hoti Duni, ka deklaruar se paratë e zhdukura nuk i ka mbajtur ajo, por se janë marrë nga drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, në zyrën e saj.
Nga ana tjetër, Mataj nuk ka dhënë shpjegime për fatin e shumës. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar 69 milionë lekët, ajo është përgjigjur se nuk e di.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët e Shijakut dhe Krujës shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën, për të identifikuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të shumës së zhdukur.










