Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon për herë të parë krijimin e bazës ligjore për emetimin e lekut digjital, një monedhë elektronike që do të emetohet ekskluzivisht nga Banka e Shqipërisë dhe do të ketë të njëjtën vlerë si leku fizik.
Ndryshe nga kriptomonedhat si Bitcoin apo Ethereum, leku digjital nuk do të ketë luhatje të vlerës dhe nuk do të shërbejë si instrument investimi. Ai do të jetë një version elektronik i lekut, i garantuar nga banka qendrore, ku një lek digjital do të vlejë po aq sa një lek në kartëmonedhë ose monedhë metalike.
Qytetarët do të mund t’i mbajnë fondet në një portofol elektronik ose platformë digjitale dhe të kryejnë pagesa në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, pa pasur nevojë për para fizike. Megjithatë, në fazat e para, leku digjital pritet të bashkëjetojë me kartëmonedhat dhe monedhat metalike.
Projektligji nuk përcakton një datë për hedhjen në qarkullim të lekut digjital. Zbatimi i tij do të varet nga vendimet e Bankës së Shqipërisë, zhvillimi i teknologjisë, standardet e sigurisë dhe gatishmëria e sistemit financiar.
Një nga modelet e mundshme të funksionimit parashikon që qytetari të konvertojë, përmes aplikacionit të bankës, një shumë nga llogaria e tij në lekë digjitalë. Pas kërkesës së bankës tregtare, Banka e Shqipërisë do të emetojë shumën përkatëse në formë digjitale, e cila do të depozitohet në portofolin elektronik të përdoruesit.
Nisma e vendos Shqipërinë në të njëjtën linjë me dhjetëra banka qendrore në botë që po studiojnë ose testojnë monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDC), me synimin për të modernizuar sistemin e pagesave dhe për ta bërë atë më efikas dhe më të sigurt.










