INSTAT: Çmimet u rritën me 3.2% në qershor, ushqimet dhe argëtimi shtynë inflacionin

Inflacioni vjetor i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3.2% në muajin qershor 2026, duke mbetur në të njëjtin nivel si një muaj më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Sipas metodologjisë së harmonizuar të Eurostat, ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e dhanë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një kontribut prej 1.02 pikë përqindje dhe rritje vjetore të çmimeve prej 2.9%, si dhe grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 0.65 pikë përqindje dhe rritje prej 10.2%.

Kontribute në inflacion dhanë gjithashtu restorantet dhe shërbimet e akomodimit (+0.56 pikë përqindje), pijet alkoolike dhe duhani (+0.25), transporti (+0.16), arsimi (+0.15), kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme (+0.12), si dhe shëndeti (+0.10).

Në krahasim me muajin maj, çmimet e konsumit shënuan një ulje prej 0.1%, e ndikuar kryesisht nga rënia e çmimeve në transport (-2.1%), si dhe te qiratë, uji dhe energjia, mobiljet, ushqimet dhe veshjet.

Ndërkohë, gjatë qershorit u regjistruan rritje mujore të çmimeve në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” (+3.2%), si dhe në arsim, shëndet dhe restorante e akomodim.

IHÇK është treguesi i përdorur nga Eurostat për të krahasuar inflacionin mes vendeve evropiane dhe shërben si një nga indikatorët kryesorë për monitorimin e stabilitetit të çmimeve në Bashkimin Evropian.